Specialët e policisë sërish protestojnë nesër, kërkesat mbeten të njëjta

Njësia Speciale Intervenuese pritet që edhe nesër të protestojë para objektit të qeverisë me kërkesat e njëjta sikurse ato të 1 nëntorit që ndërlidhen me shtesat e rrezikshmërisë dhe të tjera.

Protesta do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:30. Gatishmëri për t’iu bashkëngjitur protestës kanë shprehur edhe njësi të tjera policore të specializuara e kufitare (NJNSH) por për shkak të mungesës së autorizimit nuk mund të protestojnë, raporton Klankosova.

Por të njëjtit i kanë dhënë mbështetje njësisë elitare të policisë së Kosovës lidhur me kërkesat e tyre, dhe të njëjtën e konsiderojnë jetike për sigurinë e vendit sidomos në operacionet që ndërlidhen me veriun.

Javën e kaluar Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, rishikimin e vendimit për shtesat e rrezikshmërisë në punë.

Ata kërkuan kategorizim si njësi të veçanta, përfshirje në listën e ekspertëve, që rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës bazë, si dhe shtesa për kushte specifike të punës.