Strehimi i afganëve në Shqipëri, preket Rama për “The Guardian”: Jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas

Shqipëria, një vend me 4.2 milionë banorë po pranon qindra refugjatë afganë pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme në lidhje me ardhjen e shtetasve afganë në vendin tonë.

Gjatë një interviste për “TheGuardian”, Rama tha se Shqipëria ka pranuar që të mirëpresë refugjatët afganë pasi shqiptarët e dinë se si është të jetosh në diktaturë. Më tej gjatë fjalës së tij Rama tha se është i shkatërruar kur sheh njerëz të lënë pas dhe dëshiron t’u japë një mundësi për të marrë frymë sërish.

Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri. Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë.

Por Rama nuk mund ta humbiste këtë rast për të sulmuar edhe vendet e pasura që sipas tij po kthejnë shpinën përballë një situate të tillë.

Kjo përplaset me vlerat që ne të gjithë predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por ne gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij.