Suksesin që s’e përjetoi, rrëfimi për ish-ushtarin e FSK-së që sot jeton në Amerikë

Gjenerata e parë e FSK-së, u formua në vitin 2009. Shumë prej tyre, tash mund të jenë pjesë e misioneve paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës.

Por, këtë fat nuk do ta ketë Bujar Emrullahun, i cili në vitin 2015 la FSK-në për të vazhduar jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Eksperienca më e mirë e jetës time, ishte nder dhe kënaqësi ta bartësh atë uniformë, dhe të punosh me atë ushtarë që ishin nga UÇK-ja, në çdo trajnim kemi shkëmbyer përvojën reale që e kishin përjetu në luftë, dhe atë që e mësonim ne. Ishte përvoja më e mirë e jetës time”, nis rrëfimin Bujari për RTK.

Si pjesë e FSK-së, Bujar Emrullahu kishte marrë lëvdata edhe nga udhëheqësit e Gardës së Ajovës, me të cilët tash FSK-ja do të shërbejë në botë.

Bujari shprehet i emocionuar pas vendimit që shokët e tij të ushtrisë, sot do të nisen për misione paqeruajtëse.

“Unë për arsye familjare jam larguar nga FSK-ja, por një pjesë e zemrës dhe shpirtit tim ka mbetur në atë forcë. Jam krenar me ata djem, për atë forcë dhe për amanetin e të parëve tanë. Besoj që ata të ri dhe ato tërja me atë potencial, do të na bëjnë krenar dhe do të na heqin mallin pse nuk jemi aty sot”, thotë tutje Emrullahu,

Bujar Emrullahu u largua nga FSK-ja në kërkim të një jete më të mirë, e po atë vit e ushtrinë e la edhe komandanti i saj, Kadri Kastrati, por për një arsye tjetër.

Kastrati i cili në marsin e 2015-ës kishte dalë në pension, sot shprehet krenar me këtë arritje historike.

“Unë e kam udhëheq këtë Forcë për 4 vite, dhe është fakt historik për Republikën e Kosovës, dhe në veçanti për Ushtrinë. Sot jam i lumtur që po dëshmohet se Ushtria e Kosovës, ka përgatitje të madhe, dhe djemtë e vajzat tonë do të jenë krah për krah me ushtarët amerikanë dhe vendet e tjera botërore”,shprehet Kastrati.

Pavarësisht ndarjes tash e 5 vjet nga uniforma, Emrullahu shpirtërisht mbetet ushtarak.