Thaçi: Komandant “Kumanova” përherë ishte në ballë të betejave për liri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Ismet Jasharin – Kumanova, dhe bashkëluftëtarët e tij në 22-vjetorin e rënies.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se komandant “Kumanova” dhe bashkëluftëtarët e tij të guximshëm ishin përherë në ballë të betejave për liri dhe heroizmi i tyre ishte burim frymëzimi për ushtarët e UÇK-së.

“Nderime të përjetshme për Ismet Jasharin – Kumanovën dhe për bashkëluftëtarët e tij, Habib Zogajn, Nuhi Mazrekun, Gani Kastratin dhe Afrim Buçajn, që ranë heroikisht më 24 dhe 25 gusht 1998, duke e mbrojtur atdheun. Komandant “Kumanova” dhe bashkëluftëtarët e tij të guximshëm ishin përherë në ballë të betejave për liri dhe heroizmi i tyre ishte burim frymëzimi për ushtarët e UÇK-së. Në nderim të jetës dhe veprës së heroit Ismet Jashari, brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut me krenari e barti emrin e tij deri në përfundimin e luftës”, ka shkruar Thaçi.