Thellohet përçarja e “Guxo” në Ferizaj, Dërguti thotë se edhe ai do ta regjistrojë “Guxo”-n në KQZ, me modifikime

Zyrtari i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, mbrëmë në T7 ka konfirmuar se kanë aplikuar për t’u regjistruar në KQZ si iniciativë qytetare, me qëllim që, siç thotë Haxhi Avdyli, të mos shfrytëzohet partia nga persona të tjerë. Nga KQZ kanë konfirmuar se lëvizja e themeluar nga Vjosa Osmani ka aplikuar për regjistrim vetëm në qytetin e Ferizajt, aty ku edhe kanë dalë pakënaqësi me anëtarësinë për punën e koalicionit me VV’në për zgjedhjet lokale. Lidhur me këtë zhvillim për Express ka folur anëtari i pakënaqur i Listës “Guxo”, Balton Dërguti, i cili ka treguar se edhe vetë ai do të aplikojë në KQZ për ta regjistruar iniciativën me emrin e njëjtë por me modifikimet e kërkuara nga KQZ–ja.

Dërguti thotë se nga qendra në Prishtinë kanë aplikuar për regjistrim vetëm për t’ua parandalaur marrjen e emrit Iniciativa “Guxo”, megjithatë thotë se do të aplikojnë për regjistrim përsëri me modifikim, teksa paralajmëron se nuk do të zmbrapset.

“Ata kanë aplikuar, Dega Kryesore, me insistim që mos me e marr na emrin Lista Guxo. Qëllimi i tyre ka qenë që vetëm me na e parandalu emrin, përndryshe ata nuk kanë për qëllim me themelu iniciativa as asgjë, për shkak se ata janë deklaruar se do të hyjnë në një listë me Vetëvendosjen. Ne do ta regjistrojmë iniciativën për shkak se neve na lejohet të kemi prapë me emrin Guxo por ta kemi një modifikim tjetër që kërkohet në KQZ. Ne nuk do të zmbrapsemi. Këtë e kanë bërë me qëllim për mos me mujt me u thirr na në të njëjtin emër, por në Ferizaj njerëzit na njohin dhe ne do ta kalojmë çdo pengesë që na del përpara”, ka thënë ai.

Se lista “Guxo” ka aplikuar për regjistrim e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Ai ka thënë se ky Komision ka pranuar edhe tri aplikime për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 shtatorit.

“Deri më sot, 9 korrik 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 3 aplikime për t’u ceritifkuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit: Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra, ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan; Kandidati i pavarur, Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në komunën e Kaçanikut; dhe Iniciativa Qytetare Lista Guxo, ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Ferizaj”, ka thënë ai për Express.

Balton Dërguti ditë më parë ka deklaruar se do të shkojnë vetëm në zgjedhje lokale dhe jo me Vetëvendosjen siç ka thënë Donika Gërvalla.

Derisa Gërvalla e cila aktualisht drejton iniciativën, ka kërkuar që të respektohet vendimi për shkuarjen në zgjedhje lokale bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në zgjedhjet nacionale Lista Guxo ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetvendosje dhe së bashku arritëm që me forcën e votës të bëjmë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Kosovës. Prandaj jemi të bindur që garimi i përbashkët edhe në zgjedhjet lokale do të sjellë përfundimisht ndryshimin e shumëpritur në Kosovë. Prandaj Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetvendosje. Kjo jo vetëm për arsye se Lista e Referendumit (VV + Guxo + Alternativa) arriti fitoren plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, por edhe sepse koalicioni ynë i përbashkët qeveritar ka dëshmuar se din dhe don ta bëjë ndryshimin e premtuar”, kishte shkruar Gërvalla./Express/