Togeri i Policisë së Kosovës e lë punën pas 21 vitesh për shkak të kushteve të punës: Ka qenë zgjidhje shumë e dhimbshme për mua

Besnik Leci, i cili ishte për 21 vjet pjesë e Policisë së Kosovës dha dorëheqje të premten.

Ai pohon se deri te vendimi ka ardhë si rezultat i shumë pakënaqësive.

Togeri i policisë tha se arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me kushtet jo të mira në Policinë e Kosovës.

“Paga e pamjaftueshme për ta mbajt familjen, mungesa e sigurimit jetësor e atij shëndetsorë, kushtet e punës, e shumë çështje të tjera, më kanë detyruar ta marr këtë vendim aspak të lehtë, mirëpo të detyrueshëm”, tha Leci.

Postimi i plotë:

Të nderuar koleg, familjarë e shoqëri.
Ju falenderoj të gjithëve që jeni solidarizuar me mua, pas vendimit për t’u dorëhequr nga Policia e Kosovës.
Shumë prej jush më keni shkruar, e shumë edhe më keni telefonuar, sepse shumica nuk e keni prit e disa edhe nuk e keni besuar se kam marrë një vendim të tillë.
Asnjëherë gjatë karrieres time nuk e kam paramenduar se ndoshta një ditë, do të detyrohem të jap dorëheqje vullnetare nga Policia.Mirëpo ja që edhe kjo ndodhi pikërisht dje,me datë 15.07.2022, pas 20 vite e 10 muaj shërbim.
Po, e kam marrë atë vendim me vetëdije, dhe ka qenë zgjidhja ime,mirëpo besoni që zgjidhje shumë e dhimbshme për mua.
Është e vërtetë që dorëheqja vullnetare në Policinë e Kosovës është personale dhe individuale, dhe vendim i secilit për vehten e vet,mirëpo para se të gjykojmë me atë se “është vendim i juaji dhe zgjidhja juaj”, kish me qenë mirë me ba një analizë të shkurtë, a thua pse po detyrohem me mar një vendim të tillë.
Për shkak të korrektësisë, e ndiej obligim moral që ta sqaroj për ju dhe për të gjithë ata që iu intereson, se shkaqet apo motivi i cili qëndron pas këtij vendimi nuk ka të bëjë me asnjë çështje tjetër përveç, për fat të keq, çështjes ekonomike.
Paga e pa mjaftueshme për ta mbajt familjen, mungesa e sigurimit jetësor e atij shëndetsorë, kushtet e punës, e shumë çështje të tjera, më kanë detyruar ta marr këtë vendim aspak të lehtë,mirëpo të detyrueshëm.
E di që edhe shumë prej juve, ekonomikisht gjendeni në situatë të njëjtë, e ndoshta edhe më të vështirë,pasi që shumica keni edhe obligime tjera financiare-kredi nëpër banka, e të cilave nuk iu intereson sa e ke pagën e si e mban familjen, mirëpo me shpresë se do të vijnë ditë më të mira për ju, për ne, dhe për të gjithë.
Falemnderit dhe ju priftë e mbara.
B/L.