U qëllua në mes të plazhit me 6 plumba në trup! Vdes në spital pronari i lokalit në Vlorë

Vdes në spital, Arben Beqiraj, i cili u plagos pasditen e djeshme nga një sulm me armë në lokalin e tij në zonën e plazhit të vjetër. Bashkë me të u plagosën edhe Egert Beqiraj dhe Nesim Hodaj të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Viktima ka ndërruar jetë rreth orës 01:00 pas mesnate në spitalin e Vlorës. Ai kishte në trup 6 plumba, në pjesën e barkut, në duar dhe në këmbë. Një prej plumbave e ka kapur Arben Beqirajn në pjesën e kraharorit duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Kjo ka bërë që ai të humbasë jetën.

Dy persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës. Burime nga policia bëjnë me dije se po punohet për kapjen e dy autorëve nga policia e Vlorës dhe FNSH-ja e Fierit. Ndërsa janë shoqëruar rreth 20 persona të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Dy autorët e identifikuar, me iniciale SH.L dhe E.XH janë konfliktuar fillimisht me fjalë me pronarin e lokalit, ndërsa më pas janë përdorur grushtet nga të dyja palët.

Pas konfliktit fizik dy autorët kanë shkuar tek makinat e tyre të parkuara jashtë lokalit nga ku kanë marrë një kallashnikov dhe një pistoletë me të cilat kanë qëlluar drejt Beqirajt, djalit dhe nipit të tij.

Ngjarja e rëndë ka tronditur pushuesit e ndodhur në zonë, të cilët janë larguar më herët se zakonisht në drejtim të banesave të tyre. Ata thonë se kanë vrapuar të shtrihen në rërë për të mos i kapur plumbat.