Vaksinimi masiv anticovid/ Mbi 955 mijë vaksinime që nga nisja e fushatës “Shqipëria buzëqesh”

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer 955 498 vaksinime anticovid në vend, transmeton Fokusi.info.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila publikoi mbrëmjen e së enjtes shifrat e vaksinimit në total deri ditën e sotme.

Ministrja bëri me dije se ditën e sotme janë kryer 12 059 vaksinime kundër koronavirusit.

Procesi i vaksinimit masiv po vijon në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për qytetarët +50 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Ndërkohë sot dhe nesër në të gjithë vendin vijon “Ditët e hapura” të vaksinimit masiv antikovid, për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç në të gjithë vendin.