Vala e dytë e Covidit? Pekini në izolim, anulohen mijëra fluturime

Miliona persona në Pekin po jetojnë nën masa kufizimi, mes frikës për një valë të re pandemie pas rishfaqjes së virusit. Autoritetet në kryeqytetin kinez, i cili nuk kishte pasur raste të brendshme për 57 ditë, raportuan 31 raste të reja të mërkurën, duke e çuar totalin në 137 infektime gjatë javës së fundit.

Më shumë se 1200 fluturime u anuluan nga dhe për në qytet ndërsa shërbimet hekurudhore janë reduktuar deri në të paktën 9 korrik.

Po ashtu janë pezulluar shkollat, dhe janë mbyllur gjithashtu pishinat e palestrat. Megjithatë, rrugët vijojnë të jenë të hapura dhe puna vazhdon në kompani e fabrika.

Vatër e shpërthimit të ri besohet të jetë tregu ushqimor i Xinfandi, furnizues i 80 për qind të mishit dhe perimeve në kryeqytet.

Rreth 27 lagje janë klasifikuar si me rrezik të mesëm, ndërsa te njëra që gjendet pranë tregut, rreziku konsiderohet i lartë.

Banorët në zonat me rrezik të mesëm e të lartë nuk mund të largohen nga qyteti, ndërsa ata në zonat me rrezik të ulët mund të largohen, por vetëm nëse do të rezultojnë negative ndaj testit./Opinion.al