Vdekje e dyshimtë në Spitalin Amerikan, pacienti 82 vjeçar dyshohet se u hodh nga dritarja e spitalit

Një 82 vjeçar ka vdekur të hënën, pasi dyshohet se është hedhur nga dritarja e objektit të “Spitali Amerikan” në Prishtinë, ku po merrte trajtim mjekësorë.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 17:00.

Siç mëson Gazeta Online “Reporteri.net”, viktima, ishte hospitalizuar të shtunën në spitalin privat, i njohur si “Spitali Amerikan” në Prishtinë.

Dy ditë më vonë, të hënën pasdite, pacienti i moshuar u gjet i vdekur në rrugën pranë objektit të këtij spitali. Dyshohet se 82 vjeçari u hodh nga dritarja e dhomës, në katin e dytë, të spitalit ku ishte i shtrirë.

Sipas policisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, derisa rasti është duke u trajtuar si “vdekje e dyshimtë”.

Reporteri.net, të martën, ka kërkuar sqarime rreth ngjarjes nga Spitali Amerikan, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.