Vdes në spital 17 vjeçari që u godit me veturë nga ish-kryebashkiaku

Ka ndërruar jetë në spital 17-vjeçari që u përplas me makinë nga ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano.

“BalkanWeb” raporton se 17-vjeçari Eljo H., nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra pas përplasjes së ndodhur dje në Llogara.

Adoleshenti ka qenë duke kaluar rrugën dhe po shkonte drejt stacionit të autobusit nga fusha e futbollit.

Në këtë kohë është goditur me makinë nga ish-kryebashkiaku, Vasil Bollano. Sipas dëshmitarëve, goditja ka qenë tepër e fortë dhe i riu është dërguar menjëherë në spital.

Në dëshminë e tij të parë, Vasil Bollano ka deklaruar se i riu është hedhur përpara makinës, por duket se ky version nuk i ka bindur ekspertët e policisë të cilët kanë kryer analizën e ngjarjes dhe shoqëruan Bollanon në komisariat.

Ekspertiza do të nxjerri më pas nëse është respektuar apo jo shpejtësia e lejuar.