Vetëvendosje nuk ka interes ta hetojë SHIK-un, thotë Molliqaj

Sipas ish deputetit e ish-sekretarit organizativ të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, kjo parti nuk e do vërtetë hetimin e SHIK-ut.

“Vetëvendosje s’ka interesim që të hetohet SHIK-u. Nuk e di a ia ka kërkuar nënshkrimet LDK-së për Komisionin hetimor parlamentar. Vetëm e kanë nisur dhe e mbajnë peng. Ne i kemi dhënë nënshkrimet tona”, ka thënë Molliqaj, në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, edhe Kadri Veseli, si ish-shef i SHIK-ut, ia bën si Glauk Konjufca.

“Thotë unë jam gati për të hetuar. Mandatin e kaluar tallej e thoshte bëni ju 39 unë jam i 40-ti. Njësoj si Glauku që tha për votimin e Ligjit se unë e votova, por nuk po më dëgjojnë deputetët”, ka thënë Molliqaj.

“Ose si rregulli pa shkruar është që pas 10 vjetësh të publikohen dokumentet e SHIK-ut. Natyrisht nuk them se gjithçka të publikohet, sepse ai ka qenë shërbim, por nëse ata thonë se kanë bërë veprime të mira, le të na tregojnë të paktën kush ka punuar aty”, ka thënë më tej Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se beson “se SHIK-u ka bërë aktivitete kriminale”.

“Dhe për këtë krerët e saj duhet të mbajnë përgjegjësi penale”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e Konjufcës se nga “Kryesia e dikurshme e Vetëvendosjes ka qenë e dijshme se vetëm Aida Dërguti ka qenë në SHIK”.

“E para Aida Dërguti do të flasë vetë, dhe e dyta absolutisht jo, nuk ka qenë në SHIK. Është e pandershme nga Glauku, që në një anë të thotë se e kam mikeshë, dhe në anën tjetër të mundohet që ta diskreditojë”, ka thënë ai.