Vjosa Osmani bëri “sallto mortale” me hyrjen në listën e VV-së

Anëtari i LDK-së dhe ish deputeti i kësaj partie, Naser Rugova në emisionin “Imazh” të RTK-së ka thënë se partia e tyre do të dalë e para në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka thënë se sondazhet që po publikohen nga partitë politikë nuk janë kredibile.

“Atë që po e shoh unë çdo ditë në terren dhe nga bashkëbisedimi me strukturat, intelektualët dhe njerëzit që nuk janë pjesë e LDK-së, e thonë të kundërtën me atë që po shihet në sondazhe”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, propagandat partiake do të dëmantohen mesnatën e 14 shkurtit.

Ai tutje ka folur për kandidaturën e Vjosa Osmanit si kandidate e Vetëvendosjes për presidente.

Rugova tha se është e pakuptimtë gara për president dhe se ata e kanë kandidatin e tyre për kryeministër, Avdullah Hotin.

“Të dalësh me propozimin për president dhe të thuhet se zonja Osmani do të rilegjitimohet si presidente për mua është patetike. Dhe me këtë Osmani bëri Sallto mortale, pasi që vet nuk arriti ta funksionalizonte strukturën e saj politike dhe të hyjë në garë, por shkoj në listën e VV-së”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, Osmani nga bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e kaluara dhe pretendente për kryeministri, tash shkoi dhe u fut në listën e VV-së, prandaj sipas tij, kjo flet shumë.

“Nga dita e djeshme, nëse dikush është lajthitur se do ta votonin Osmanin, konsideroj se tashmë opinion është komplet në favor të LDK-së”, ka thënë Rugova.

Ai theksoi po ashtu se bashkëpunimi Kurti-Osmani nuk do të zgjasë më shumë se gjashtë, pasi që sipas tij, “dy atllar nuk rrijnë në një mullar”.