Vjosa Osmani, për Qeverinë Hoti: Nuk mund të quhet qeveri e LDK-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës për t’i shërbyer vendit deri në pikën e fundit. Ajo tha se nuk është penduar që nuk e ka votuar Qeverinë Hoti, pasi sipas saj, ajo nuk është qeveri e LDK-së.

Osmani, që është anëtarja më e votuar e LDK-së në zgjedhjet e tetorit 2019, thotë se është rritur në një familje ku kontributi ndaj Kosovës ka qenë parësor.

“Pa asnjë dilemë do të jem këtu dhe do të luftoj deri në frymën e fundit. Por dilema nuk ka të bëjë me hallet e tua. Mirëpo secili politikan duhet ta bëjë nëse mund ti ndihmoj vendit tim duke qenë këtu apo diku tjetër? Unë që vij nga bota akademike ia bëj vetes në përfundim të çdo mandati: Ku është vendi ku mund t’i ndihmoj vendit tim dhe nuk është dilemë a duhet të vazhdoj. Jam rritur në një familje që ka dhënë kontributin e saj për vendin”, tha Osmani, për Syri Tv.

E pyetur se sa popullore është ajo sot brenda LDK-së, Osmani tha se nuk bën matje të tilla.

“Pyetja që i shtroj vetvetes është nëse jam duke thënë të vërtetën, a jam me përputhje me ndërgjegjen? Zakonisht kur përgjigja është po edhe mbështetja popullore vazhdon. Është tejet me rëndësi që në këto ditë të vështira të bëjmë të pamundurën për të dhënë shembullin për mbrojtjen e të vërtetës, moralit, mbajtjes së fjalës”, tha kryetarja e Kuvendit.

Osmani u shpreh e dëshpëruar lidhur me Qeverinë e Kosovës e me atë çfarë u është premtuar qytetarëve para zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Ne kemi qenë të qartë para qytetarëve. Kemi treguar se me kë do të bëjmë koalicion e me kë nuk do të bëjmë. Kemi synuar bashkëpunim me ata që nuk kanë abuzuar me pushtetit. Asnjë nga këto nuk shihet në qeverinë që është votuar në Kuvend së fundmi”, tha Osmani.

Ajo tha se në asnjë moment nuk është penduar që nuk e ka votuar Qeverinë Hoti. “Kjo nuk mund të quhet qeveri e LDK-së”, tha Osmani.