Von Bone ankohet se Gjykata Speciale nuk po e lë shumë të flasë me Salih Mustafën

Julius Von Bone, avokat i ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa është ankuar për kohën e shkurtër që po ia lë Gjykata Speciale për të folur me klientin e tij.

Von Bone në seancën e sotme paragjyqësore tha se ka takime me Mustafën kryesisht në Zoom, por që koha e diskutimit mes tyre është shumë e shkurtër. Ai tha se në raste të tilla duhet diskutuar tërë ditën me klientin.

“Unë kam takime me klientin tim. Janë kryesisht takime që organizohen përmes Zoom-it. Janë takime që nuk zgjasin mbi një orë përgjithësisht. Sigurisht që kjo nuk është mënyrë normale e të punuarit sepse me një çështje, me një dosje të tillë kaq të madhe, duhet të punosh me klientin gjatë gjithë ditës dhe jo të mjaftohesh me vetëm një orë. Dhe në fund do të doja që të mundësoheshin diskutime më të gjata me klientin tim, sepse do të ishte më e thjeshtë për ne për të punuar me dosjen dhe materialet”, tha Von Bone.

Ai shtoi se shpreson që “personat përgjegjës të na mundësojnë komunikim më të gjatë”.

Von Bone tregoi se me Mustafën kanë vetëm dy takime në javë.

Pasi i premtoi se do ta marrin seriozisht ankesën e tij, gjykatësi Nicolas Guillou e mbylli seancën e sotme paragjyqësore ndaj Salih Mustafës.