Von Cramon për vizat: Kriteret janë përmbushur, është i padrejtë mospërfundimi i këtij procesi

Eurodeputetja Viola Von Cramon është duke qëndruar në Kosovë.

Në një konferencë për media ajo ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, propozimin franko-gjerman, krizen energjetike si dhe liberalizimin e vizave.

“Nuk ka kurrëfarë ndëshkimi për shkak të mungesës se rezultateve, mendoj që diskutimet janë më shumë sa i përket gjendjes në terren. Ju i keni përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Disa vende anëtare kanë rezerva, jemi mundur t’i trajtojmë këto, por kjo është e vështirë dhe nuk është e kuptueshme përse është kaq e vështirë” deklaroi Von Cramon.

E njëjta deklaroi se është e pakuptueshme dhe e padrejtë se si nuk ka përfunduar akoma procesi i liberalizimit.

“Mendoj se mund të pritni një vendim që është i sigurtë, por pyetja është “çka, si dhe kur”. Vendimi do të jetë kah mesi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit. Do të shohim përfundimisht një datë që do të bëhet liberalizimi i vizave. Përveç Francës, për arsye të ndyshme vendore, ka edhe më shumë shtete që kanë rezerva. Pse është kështu, nuk mund të them se cila është arsyeja”, tha von Cramon, raporton Indeksonline.

Sa i përket strategjisë elektrike, Von Cramon ka thënë se e tërë Evropa po përballet me krizë , dhe se Qeveria nuk është fajtore lidhur me këtë.

“Sa i përket strategjisë së energjisë, e di që Kosova po vazhdon me kushte vërtetë të vështira. Nuk varet nga Qeveria që të ndryshojë aspektin gjeopolitik dhe kushtet energjetike. Ne po ballafaqohemi në Evropë dhe në BE, me një gjendje, një rritje të jashtëzakonshem të çmimeve të energjisë. Javet dhe muajt e fundit janë një kaos i vërtetë” pohoi ajo.