Vrau dhe u arratis në SHBA, kush është i ekstraduari

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, i cili ishte larguar drejt Amerikës, është ekstraduar në vendin tonë, për t’u përballur me sistemin e drejtësisë.

Policia e Shtetit bën me dije se Një tjetër operacion i përbashkët rikthimi ndërmjet Interpol Tirana, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) dhe Zyrës së Hetimeve Kriminale (OCI) në Ambasadën e SHBA-së Tiranë është realizuar me sukses, për kapjen dhe deportimin/ekstradimin e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë, i kërkuar në Shqipëri për veprën penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen”, i cili pasi kishte kryer krimin ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte futur në rrugë ilegale në Shtetet e Bashkuara.

Si rezultat i një operacioni të gjatë ndërmjet Interpol Tirana dhe DSS-OCI u bë ekstradimi i Arlind Hyseni, alias Shpend Mazari, 34 vjeç, lindur në Pukë.

I riu ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendim numër 641, datë 2 qershor 2005 e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Hyseni akuzohet se më 12 korrik 2004, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë, në bashkëpunim me shtetasin F. M.. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e shtetasit M. S.

Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin G. S., dhe plagosur rëndë shtetasit M. S. dhe H. S./noa.al