VV: Kosovës i kushton shumë një prokuror që nuk vepron

Lëvizja Vetëvendosje para protestës së paralajmëruar për ditën e premte para Prokurorisë së Shtetit, përmes një konference për media ka dhënë arsyet se pse kanë zgjedhur këtë vend për të protestuar kundër ‘PANhajnisë’.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka dështuar t’i realizojë dy premtimet e dhëna para emërimit në këtë pozitë: Luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe hetimin e krimeve të luftës.

“PanHajnia nuk do të ishte kë këmbë e as nuk do të ishte në pushtet nëse do të kishte veprim të prokurorisë ndaj skandaleve qeveritare… në vend të prezantimit të një platforme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kryeprokurori Lumezi përmendi dy premtime publike: E para ishte luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit që nuk ndodhi asnjëherë dhe e dyta ishte hetimi i krimeve të luftës që poashtu asnjëherë nuk u morën seriozisht me krimet e luftës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se si pasojë e mungesës së një prokurorie të mirëfilltë, Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër për shkak të korrupsionit. E pikërisht për këtë arsye, Haxhiu thotë se qytetarët e Kosovës po lëshojnë vendin. Sipas saj, korrupsioni po ndodhë para syve të Prokurorisë.

Haxhiu i ka drejtuar disa pyetje publike kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, përfshirë edhe atë se a ka pasur hetime për siç thotë ajo shpenzimet e parasë publike për librin personal të presidentit Hashim Thaçi.

“Ku kanë ngecur hetimet për vendimin e qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Pse është e vështirë për Prokurorinë të ngrisë aktakuza për këtë rast, për këtë vepër penale është jashtëzakonisht e thjeshtë. Që një vit qeveria Haradinaj është nën hetim nga Prokuroria dhe ende nuk ka aktakuza për këtë vendi,. A ka pasur hetime mbi favorizime që kryeministri bën njerëzve të tij. A ka pasur hetime për 53 milionët e dhuruara Bektel Enkas nëse po ku kanë mbërritur hetimet. A ka pasur hetimet mbi kontratën e dëmshme Contour Global me anë të së cilët janë shkelur disa ligje, dhe ku janë marrë vesh që pronat publike në mënyrë joligjore të shitet 10 hektarë për 10 euro. A ka pasur hetime për keqpërdorimet e raportuara nga Ministria e Bujqësisë me subvencione. Ose rasti I fundit vëllai ish ministrit Nenad Rikallos , pa shkuar fare në punë ka marrë pagë nga shteti. A ka pasur hetime për shpenzime të parasë publike për librin personal të Hashm Thaçit dhe për lobimin e projektit për shkëmbimin territorial”, pyet Haxhiu.

Ajo ka pyetur nëse ka pasur edhe hetime për abuzim me punësime në PTK, hetime për gurëthyesit e paligjshëm, për vjedhje e fletarëve nga ZRRE, hetimet për krimet e luftës, dhunimet seksuale, dhunën ndaj grave. E të tjera.

Haxhiu shoti se ‘Kosovës i kushton shumë një kryeprokuror që nuk vepron’.

E shefi i GP të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i është kundërpërgjigjur Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili e ka quajtur ndërhyrje në drejtësi protestën e paralajmëruar të VV-së para Prokurorisë së Shtetit.

Konjufca tha se është e habitshme se si një institucion i tillë nuk e kupton të drejtën elementare për protestë paqësore.

“Ata nuk e kuptojnë një të drejt elementare njerëzore që garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, edhe me konventat ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut që është e drejta paqësore e njerëzve për t’u grumbulluar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore për ta shprehur pakënaqësinë e vet.. pikërisht ata që po ankohen që po ka ndërhyrje në drejtësi, janë vet ata shembulli i gjallë se si pushteti ka ndërhyrë në Drejtësi. Sepse po flasim KPK-në dhe aty e kemi për Bahri Hysenin i cili është katapultuar drejtpërdrejt prej pushtetit e në krye të KPK-së. Siç e dini ju ai është një prej protagonistëve të aferës “PRONTO”, pra ai djali që nëse ju kujtohet ‘që nuk ka pas KUnkUru’, tha Konjufca. /KosovaPress/