Zafir Berishës ia thyejnë fjalëkalimin e Facebook-ut, pak orë pas emërimit si koordinator nacional për siguri kibernetike

Në ditën që u emërua koordinator nacional për siguri kibernetike dhe menaxhim të emergjencave, Zafir Berishës, ia kanë thyer fjalëkalimin e Facebook-ut.

Personi apo personat që po menaxhojnë aktualisht llogarinë e Zafir Berishës në Facebook, po shprehen kundër emërimit të tij në pozitën e cekur më lartë.

Kështu të paktën thuhet në postimin e fundit të tyre, i postuar në profilin e koordinatorit nacional për siguri kibernetike, Zafir Berisha.

Me t’i parë këto postime, Gazeta Sinjali, ka kontaktuar me Zafir Berishën, i cili konfirmoi se profili i tij në Facebook ka qenë cak i hakerëve dhe tha se aktalisht ndodhet në stacionin e policisë, ku edhe po jep deklaratë.

“Po është e vërtetë, para gjysmë ore ka ndodhur. Tash jemi me policinë në këtë moment, po e raportojmë rastin. Edhe te unë si të gjithë qytetarët, diçka personale, ndërhyrja në çështje private sanksionohet”, tha Berisha për Gazetën Sinjali.

I pyetur nëse ka dyshime te ndonjë person që mund t’ia ketë thyer fjalëkalimin, Berisha tha: “As që jam tu e lodh vetën se s’jam hetues, merren organet me këtë punë”.

Ai pohoi për Gazetën Sinjali se thyerja e fjalëkalimit lidhet me emërimin e tij në pozitën e koordinatorit nacional për siguri kibernetike.

“Sigurisht që lidhet me emërimin tim, jam koordinator dhe jo ekspert në këtë fushë, emërimi im ka të bëjë me i mbrojt qytetarët edhe vetën nga njerëzit besëprerë”, përfundoi ai.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sot ka emëruar katër zëvendësministra, në cilësinë e koordinatorëve nacionalë, në mesin e të cilëve është edhe Zafir Berisha.