‘Zajednica e Kurtit’: LDK zyrtarisht nuk e mbështet draft-statutin për Asociacionin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar draft-statutin për Asociacion të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, tha se ky draft-statut parasheh autonomi, transmeton Telegrafi.

“Sot bëhen 1 javë që kur LDK ka pranuar zyrtarisht nga ndërmjetësuesit draft-statutin e Asociacionit, pra dy muaj pas prezantimi në Kosovë, e 40 ditë pasi njëjti është pranuar nga Qeveria. Ka pasur synime që njëherë të na jepet vetëm për lexim ky draft-statut. Nuk kam pranuar një qasje të tillë, kështu nuk vepron LDK. Për LDK ka qenë shqetësuese mbyllja hermetikisht e Qeverisë Kurti para dhe pas pranimit të këtij dokumenti. Të mbyllësh një dokument para spektrit politik është qasje e paprecedent”, tha ai.

Më tej, ai shpalosi qëndrimet e tij mbi dokumenti.

“Si kryetar po jap disa vlerësime të para mbi këtë dokument. Ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizm, nis me rezolutën 1244 si paralele e shpalljes së pavarësisë, e përfundon me arbitrash si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, tha ndër tjera ai.

Abdixhiku tha se është pakuptimtë se si institucionet e Kosovës kanë pranuar një asociacion të tillë.

“Unë besoj që prapa kësaj fatkeqësie qëndron një paaftësi e thellë dhe një apetit për popullizëm që na sjell në situate të rënda. LDK nuk mund të mbështet asnjë produkt që del jashtë kornizave të Kushtetutës. Këtë qëndrim e kemi shpalosur gjithmonë”, deklaroi ai.

Kreu i LDK-së potencoi tutje se “Qeveria populliste ka arritur qe për 2 vite dialogun ta shndërrojë në dialog që jep autonomi”.

Më tej, ai deklaroi se popullzimi ka arritur që Kosovën ta mbajë të sanksionuar.