Zbulim i madh në historinë shqiptare! Gjendet shpella e tejmbushur me eshtra njerëzore

Një javë më parë në emisionin “Gjurmë Shqiptare” në fshatin Gjuras, pjesë e Bashkisë Bulqizë, u zbulua një shpellë e tejmbushur me eshtra njerëzore.

Siç bëri me dije edhe vetë drejtuesi i emisionit, gazetari i njohur Marin Mema, askush nuk kishte dijeni më parë për këtë shpellë dhe zbulimi i saj përbën një ngjarje me rëndësi në historinë shqiptare.

Ajo u zbulua rastësisht nga dy djem të apasionuar pas eksplorimit të shpellave dhe menjëherë gazetari Mema ka nisur nga puna për të avancuar më tej kërkimet. Zbulimi ishte i jashtëzakonshëm, pasi në brendësi të shpellës u gjetën eshtra njerëzore të cilat nuk dihet se cilës periudhë i përkasin.

Në bisedat që ka patur me banorët e fshatit aty pranë, Mema bën me dije se shumica e tyre nuk kanë hyrë asnjëherë në shpellë, ndërsa disa të tjerë mendojnë se eshtrat i përkasin njerëzve të masakruar nga serbët mbi 100 vjet më parë, por disa të tjerë i cilësojnë edhe më të vjetra se aq.

Për të çuar më tej zbulimet, gazetari ngriti një grup pune duke përfshirë në ekip edhe arkeologë të njohur. Mema e vë theksin gjithashtu edhe te mënyra se si duhet të shihen këto vende dhe zbulime, pasi ato nuk përbëjnë thjesht një epiosod në histori, por mund të ndikojnë edhe në rritjen e turizmit për shkak të interesit që ngjallin tek turistët.

Në këtë mënyrë pra, zonat përreth mund të përfitojnë në aspektin ekonomik nga vizitat e ndryshme.