Zëdhënësi i sapoemëruar i Qeverisë i bëhet shef zv. kryeministrit Abazi në konferencë

Zëdhënësi i sapoemëruar i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë një gjest të pazakontë në konferencën për media të zëvendës kryeministrit Haki Abazi. Zakonisht zëdhënësit as nuk ngjiten afër foltores kur zyrtari që e shoqërojnë flet. Por, zëdhënësi i ri në prani të eprorit të mori fjalën dhe foli me tone ashpra kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pasi zëvendës kryeministri i dytë, Abazi, tregoi se Kosova ka marrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese për pandeminë e koronavirusit në Kosovë dhe ndërkohë po bëhej gati t’iu përgjigjej gazetarëve, zëdhënësi Kryeziu ndërhyri duke thënë se i duhet ta plotësoj Abazin.

“Propozimi i gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidentit përveç që është ekstrem, arsyetimi i këtij propozimi si masë preventive për parandalimin e pandemisë, është i paqëndrueshëm, masa preventive ka marrë qeveria deri më tani, madje i ka marrë edhe në kohë kur nuk ka pasur asnjë të shënuar me koronavirus”, ka plotësuar Kryeziu.

Ai tha se masa që propozoi presidenti është ekstreme, e palogjikshme, e ngutshme dhe e papërgjegjshme sepse bën thirrje për panik.

“Ne konsiderojmë se kjo masë përveç se është ekstreme dhe e palogjikshme ajo është e ngutshme dhe është e papërgjegjshem sepse bën thirrje për një panik për të cilën nuk ka nevojë”, ka thënë Kryeziu.

E në fund, Kryeziu tha se nuk ka vend për panik, por vetëm për kujdes të shtuar.

“Shfrytëzoj rastin t’ua përkujtoj qytetarëve të Kosovës që të kujdesën për higjienën, të pastrojnë duart sa më shpejt të munden, t’i shmangen turmave. Duhet t’iu kujtoj se vend për panik nuk ka, por për kujdes të shtuar gjithsesi”, shtoi Kryeziu.

Pasi zëdhënësi i Qeverisë mbylli fjalimin e tij, gazetarët iu adresuan zv. Kryeministrit Abazi për pyetjet në vazhdim.