Zhvillimet në veri, Hovenier në takim me Osmanin

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier mesditën e së martës është takuar me presidenten, Vjosa Osmani.

Pas takimit me Osmanin, ambasadori është duke zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura, përderisa temë e diskutimit pritet të jetë gjendja në veri pas sulmit të së dielës ndaj Policisë së Kosovës.

Hovenier i pati dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, u shpreh ambasadori Hovenier.

Me tej, diplomati amerikan tha se personat që organizuan këto vepra kriminale duhet të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.