​150 automjete me regjistrim të skaduar u larguan nga komunikacioni rrugor në Mitrovicë

Vetëm gjatë muajit korrik në Mitrovicë nga komunikacioni rrugor u larguan 150 automjete me regjistrim të skaduar.

“Policia e Kosovës në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, po vazhdon me angazhimet operative në fushën e sigurisë, ku Njësia e Reagimit të Shpejt vazhdon me angazhim dhe përkushtim maksimal në mbështetje të njësive dhe sektorëve të tjerë në nivel rajoni”, thuhet në komunikatën për media nga Drejtoria e Policisë në Mitrovicë.

Tutje në komunikatë thuhet se “Në mbështetje dhe zbatim të planeve operative “Sezoni veror” 2021, Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) në vazhdimësi është duke operuar në mbështetje të stacioneve policore në nivel rajoni, ku rezultatet janë evidente si në fushën preventive, po ashtu reaguese, ku vetëm gjatë muajit korrik, zyrtarë policorë të kësaj njësie gjatë kontrollit në trafik kanë ndaluar dhe identifikuar 150 automjete me regjistrim të skaduar”.

Po ashtu u shqiptuan edhe gjoba.

“Kundërvajtësve u janë shqiptuar gjoba, dhe 150 automjete identifikuara në qarkullim me regjistrim të skaduar u janë sekuestruar targat dhe automjetet janë larguar nga trafiku rrugor”, bëhet e ditur në komunikatë.

Mbështetja e njësisë së NJRSH-së, po reflekton në parandalim dhe efikasitet në angazhim të përgjithshëm për siguri në trafik dhe rendin publik.