​Haradinaj kërkon veprime nga qeveria që të pengohet ngritja e çmimit të energjisë elektrike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës veprime të menjëhershme në mënyrë që të pengohet ngritja e çmimit të energjisë elektrike.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se kohë me parë ishte hartuar baza ligjore për liberalizim të tregut, por që tha se në emër të liberalizimit po ndodh monopoli. Nëse lejohet kjo, ai tha se do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike për 30-40 përqind, e që do të ndikonte edhe për rritje të çmimeve në të gjitha gjërat e tjera.

“Kërkojë veprime të menjëhershme nga Qeveria e vendit në mënyrë që pengohet ngritja e çmimit të energjisë elektrike. Kohë më përpara ishte hartuar baza ligjore për liberalizim të tregut, po në emër të liberalizimit po ndodh monopoli për shkak se vetëm një operator është funksional, disa të tjerë edhe pse ka vite që janë licencuar nuk janë funksional edhe në këtë rast të gjithë konsumatorët industrial do të preken menjëherë nga ngritja e çmimit 30-40 përqind. Kjo do të shkaktojë rritje zinxhirore të çmimeve, pra të gjithë çmimeve të artikujve ushqimor dhe të gjithë çmimeve të tjera dhe njëkohësisht do të ketë pasoja të mëdha për vendet e punës, pra edhe për humbjen e vendeve të punës po edhe të largimit të investitorëve. Ekziston edhe baza ligjore edhe mundësia për të vepruar për shkak se liberalizimi nuk ka ndodhur në të vërtetë, pra është fals dhe kërkohet me këtë rast që qeveria në mënyrë urgjente të kompletojë bordin e ZRRE-së, t’i votojë ata dhe t’i kërkojë ZRRE-së me urgjencë ndërprerjen ose pezullimin e liberalizimit fals që të mos ndodh rritja e çmimit të energjisë”, tha ai.

Haradinaj tha në këtë kohë kur po ndodh tranzicioni i pushteteve po tentohet që vjedhurazi të nxirren para aktit të kryer, e që do të kishte rritje të çmimit të energjisë që tha se do të ishte me pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit.