​Vidhen librat dhe dëmtohen minibibliotekat

Organizata ETEA ka reaguar ndaj dëmtimit të minibiblotekave në Bregun e Diellit dhe në Lagjen e Spitalit.

ETEA, e cila ka ndërtuar këto minibiblioteka, ka theksuar se nga përvoja e deri tanishme kanë kuptuar se minibibliotekat janë në rrezik të lartë në ditët e para dhe kjo duket se vjen nga kureshtja e tepërt e faktorit njeri, pamundësia e këtij të fundit për ta pranuar të renë dhe paaftësia e pandjeshmëria për t’u kujdesur dhe vlerësuar pronën e përbashkët.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Nga banorët e “Bregut të Diellit” dhe “Lagjes së Spitalit” kemi pranuar njoftime se minibibliotekat e këtyre dy lagjeve që u inaguruan më datë 21 nëntor 2019 janë dëmtuar dhe keqpërdorur, përkatësisht njëra është sulmuar me gurë dhe i janë thyer dritaret, ndërsa tjetra ka mbetur pa asnjë libër.