Isa Mustafa për krizën energjetike: Pasojat e mosmenaxhimit do të jenë të mëdha për qytetarët dhe ekonominë

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa akuzon Qeverinë Kurti për keqmenaxhim sa i përket krizës energjetike.

Në një prononcim për GazetaBlic, Mustafa thotë se kjo krizë energjetike që ka kapur vendin, do të ketë pasoja të mëdha për të gjithë qytetarët dhe për ekonominë e Kosovës, teksa përmend edhe efektin negativ që kanë pasur rritja e çmimit të derivateve.

“Pasojat e mosmenaxhimit të krizës energjetike do të jenë të mëdha, për qytetarët dhe për ekonominë. Kjo, sidomos kur po gërshetohet me rritjen e lartë të çmimeve të derivateve të naftës dhe të lëndëve tjera substituese si pasojë e inflacionit të lartë”, tha Mustafa.

Mustafa ka folur edhe rreth takimit të 18 gushtit, ku kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic do të kthehen në Bruksel për ta realizuar takimin e tretë mes tyre në kuadër të dialogut për normalizim mes dy vendeve.

Mustafa nuk pret shumë nga takimi, ku thotë se deklaratat e fundit të liderëve kanë bërë me dije nuk do të ketë marrëveshje për dialog.Mustafa akuzon Kurtin për krizat e brendshme, ku sipas tij po mbulohen duke i promovuar ai kërcënimet.

“Deklaratat e javëve dhe ditëve të fundit nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë nuk premtojnë se ka vullnet të mirfilltë për dialog. Propagada për ti matur forcat nuk konvergjon me vullnetin për marrëveshje përmbyllëse. Krizat e brendshme në këtë formë po mbulohen duke i promovuar kërcënimet, si metoda të njohura”, përfundon Mustafa për GazetaBlic.