1 muaj gjykim, 11 seanca, pothuajse krejt të mbyllura: Ku është transparenca në Hagë?

Që kur është kthyer Gjykata Speciale nga pushimi i festave të dimrit, gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë ka vazhduar. Megjithatë, problematika mbetet e njëjtë: seancat e mbyllura, të cilat nuk i ofrojnë publikut në Kosovë një pamje të qartë për atë se çka po ndodh.

Që nga fillimi i muajit janar, në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, janë zhvilluar 11 ditë me seanca. Pothuajse secila prej tyre ka qenë e mbyllur, raporton Nacionale.

Kanë dëshmuar rreth 5 dëshmitarë, dhe e hapur ka qenë vetëm dëshmia e një serbit për pak minuta, dëshmi e mbetur në gjysmë në muajin dhjetor.

Të gjitha seancat e tjera kanë qenë të mbyllura, pra publiku kosovar as nuk e ka parë, e as nuk ka dëgjuar asgjë. Dëshmitarët të gjithë kanë qenë nën masa mbrojtëse, me pamje të mbuluar, e zë të deformuar.

Kjo në Kosovë vazhdimisht ka nxitur dilema për besueshmërinë e qytetarëve në vendimin përfundimtar, cilido që të jetë ai.

Dilemat janë shtuar edhe më shumë kur së fundmi, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tregoi se një dëshmitar ka manipuluar dëshminë e tij në shërbim të Inteligjencës së Serbisë. Edhe kjo seancë më pas, u mbyll për publikun.

“Sa i takon dëshmitarit të radhës, do të doja të jepja një parashtrim në seancë të hapur që dëshmia e këtij personi duhet mbajtur në seancë të hapur. Të ndjekim të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur në të shkuarën; të përdorim kode për emrat dhe vendet. Ju keni dhënë vendim sot paradite në seancë të hapur që ky është një dëshmitar që ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ Serb dhe është shumë e rëndësishme dhe më e rëndësishme se për çdo dëshmitar tjetër që gjyqi të jetë i hapur për publikun dhe të mos jetë seancë e mbyllur për një dëshmitar të këtij lloji që ka pranuar vetë që ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin e gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb”, tha Emmerson.

Sipas Emmersonit, ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe.

“Megjithatë, është fakt që gjykatësi i procedurës paraprake është çorientuar. Ndërkohë që ju i nderuar gjykatës keni punuar mbi vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake dhe keni vijuar më tej me masat mbrojtëse që janë miratuar në këtë rast. Ajo se çfarë do të thotë është që është një proces në të cilin Prokuroria duhet që të kalojë këtë proces edhe njëherë dhe të shpjegojë arsyen se pse janë aprovuar masa mbrojtëse, të shpjegojë se pse publiku nuk duhet që të dëgjojë dhe të shoh këtë dëshmitar, ndërkohë që është e dukshme që ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe”, tha Emmerson.

Dy dëshmitarët eparë gjatë kësaj kohe kanë qenë shqiptarë: njëri prej tyre ka dëshmuar për raportet mes UÇK-së e FARK-ut, kurse tjetri për zhdukjen e një personi të afërm të tij në Drenoc.

Por, cila është historia e këtyre dy dëshmitarëve?

Dëshmitarët 40 e 41 në Hagë nuk e thanë asnjë fjalë publikisht. Megjithatë, përmbledhjen e historisë së tyre e lexuan prokurorët.

“Dëshmitari 40 ka shërbyer në Zonën e Dukagjinit rreth mesit 1998 dhe jep informacion sa i takon strukturës dhe marrëdhënies mes forcave të UÇK-së dhe Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës FARK. FARK-u dhe njësi të caktuara në dhe përreth zonës së Dukagjinit kanë respektuar vetëm autoritetin e Qeverisë së Kosovës që është njohur si qeveria në ekzil”, tha fillimisht prokurori.

Çfarë dëshmoi dëshmitari 40?

“Në takime ndërmjet FARK-ut dhe anëtarëve të UÇK-së rreth fundit të gushtit 1998 dhe fillimit të shtatorit 1998, anëtarë të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së duke përfshirë Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Bislim Zyrapin, kanë vendosur autoritetin e shtabit të UÇK-së mbi Forcat e zonës operative të Dukagjinit. Sipas dëshmitarit, Thaçi ishte nënpunësi, ose ishte personi më i lartë i UÇK-së në këto takime”, tha prokurori më tutje.

“Dëshmitari jep informacion sa i takon strukturës dhe organizimit të njësive të caktuara të UÇK-së dhe FARK-ut në Shqipëri në fund të viteve 1998 dhe 1999. Rreth marsit 1999 dëshmitari ka gjetur një dokument që supozohet që është nxjerrë nga Azem Syla e Jakup Krasniqi në një bazë në Shqipëri. Dokumenti tregon autoritetin e Shtabit dhe mohon autoritetin e qeverisë në ekzil. Dëshmitari jep informacion rreth trajtimit të UÇK-së të personave oponentë, përfshirë këtu edhe anëtarët e FARK-ut, dhe bashkëpunëtorët e pretenduar në zonën e Dukagjinit dhe në zona të ndryshme në Shqipëri”, përfundoi përmbledhja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në Hagë dëshmoi edhe dëshmitari 41, raporton Nacionale.

Dëshmitari sipas përmbledhjes së lexuar nga Prokuroria, është i afërm i një personi që është vrarë e zhdukur në Drenoc.

“Është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë e zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari përshkruan veprimtaritë e viktimës para se të zhdukej. Herën e fundit që e ka parë, dhe përpjekjet për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi. Për shkak të natyrës që kemi dhe masat mbrojtëse”, tha prokurori.

Mbyllja e seancave dhe mungesa e transparencës në proceset gjyqësore në Hagë, është kritikuar në vazhdimësi. Gjykata Speciale këtë e ka arsyetuar me mbrojtjen e dëshmitarëve, kurse ekspertët e juristët kanë vlerësuar se me mbylljen e seancave, mund të ketë mungesë besimi të qytetarëve në vendimin përfundimtar.

Krerët e UÇK-së janë arrestuar e po mbahen në paraburgim që nga muaji nëntor i vitit 2020.