Vetëvendosja, e vetme në protestën e së premtes

Lëvizja Vetëvendosje këtë të premte do të organizojë protestë në Prishtinë kundër korrupsionit, përkatësisht kundër kryeprokurorit të vendit Aleksandër Lumezit, i cili sipas drejtuesve të këtij subjekti politik nuk po i arreston të korruptuarit, shkruan gazeta “Zëri”.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, e ka akuzuar kryeprokurorin se është i ndikuar nga politika dhe se nuk po guxon t’i ndjekë krimet politike, ekonomike, ato të luftës e të paqes.

Por në protestën e së premtes Vetëvendosja nuk pritet të marrë mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Socialdemokrate (PSD). Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se nuk u kanë bërë ftesë partive politike opozitare që të marrin pjesë në protestë sepse është protestë qytetare dhe presin mbështetje nga qytetarët pa dallime, çfarëdo qofshin ato.