150 raste të reja dhe dy viktima nga koronavirusi në Shqipëri

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë infektuar 150 persona të tjerë me koronavirus, ndërsa jetën e kanë humbur dy persona.

Më së shumti raste të reja janë regjistruar në Tiranë 66, pasuar nga Elbasani 9, Fieri 8, Shkodër, Durrës, Kavajë nga 6 raste etj.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID-19 një 75-vjeçar nga Tirana dhe një 85-vjeçar nga Shkodra, derisa 55 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6.995 totalin që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 189 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Shqipëri me koronavirus janë konfirmuar 12.535 raste, prej tyre 6.995 janë të shëruar, 5.176 janë raste ende aktive dhe betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 364 persona.