26 muaj nga arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi, familjarët të zhgënjyer me Qeverinë Kurti

4 janari i vitit 2020, do të ishte hera e fundit që Nezir Mehmetaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shijonte jetën në liri. Që nga atëherë, veterani nga Klina është i paraburgosur në Serbi, ku po gjykohet nën aktakuzën për krime luftë ndaj serbëve në vitin 1999.

Derisa po kthehej nga Kosova për në Zvicër, ku jeton që një kohë, Mehmetaj u ndalua nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare.

Ish-luftëtari i UÇK-së po mbahet i paraburgosur në burgun e Beogradit, ndërsa gjykimi ndaj tij vazhdon ende në Gjykatën e Lartë në kryeqytetin e Serbisë.

Tash që kanë kaluar 26 muaj nga dita e arrestimit, familjarët e Mehmetajt ende besojnë se luftëtari i lirisë do të dalë nga paraburgimi.

“E vërtetë që ende mbahet vëllai në burg të Serbisë dhe situata është e njëjtë, edhe pse mbesim me shpresë se një ditë do të lirohet, sepse nuk ka të bëjë me akuzat qe po e rendojnë si dhe nuk po munden me gjetë arsye dhe nuk ka fakte në lidhje me akuzat qe po i bëhen për me iu plotësu vullneti i pushtetit serb për me dënu një shqiptar për krime lufte”, deklaroi Valon Mehmetaj, vëllai i Nezirit, për Gazetën Nacionale.

E jeta në burg duket se ka ndikuar edhe në shëndetin e Mehmetaj, teksa vëllai i tij i shpjegon Nacionales se tashmë ish-ushtari i UÇK-së nuk është mirë me shëndet.

“Shëndeti i vëllait është paksa i rënduar, pasi siç është cekur edhe me herët ai vuan nga sëmundja e diabetit si dhe pasojat e kësaj mbajtje të padrejtë po i shfaqen në dhimbje koke të parezistueshme”, theksoi Mehmetaj.

Tutje, ai thotë se përkundër premtimeve të mbrojtjes, Neziri po vazhdon të mbahet i paraburgosur për shkak të ndikimit të pushtetit aktual politik në Serbi.

Por, Mehmetaj është i pakënaqur edhe me pushtetin në Kosovë, duke theksuar se qeveria e udhëhequr nga kryeminsitri Albin Kurti nuk është interesuar sa duhet për rastin e të vëllait të tij.

“Pushteti ynë me punën e tyre qe kinse janë duke punuar në rastin e vëllait, por në fakt akoma asnjë rezultat nuk është ku vërehet ndikimi i pushtetit të Republikës sonë për të mbrojtur shtetasin Nezir Mehmetaj. Kemi mbetur ashtu të vetmuar në këtë rast të ndieshëm dhe shumë me rëndësi, ku deri më sot, po të kishte ndikuar shteti ynë ashtu si i takon, dhe realisht ish dashtë që të punohet më shumë dhe më seriozisht, si dhe me vendosmëri që Nezir Mehmetaj të lirohet nga kjo mbajtje e padrejtë në çdo aspekt”, shtoi Mehmetaj.

E për këtë çështje, Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë së Kosovës për të pyetur nëse ndonjëherë është diskutuar mbajtja e Mehmetajt me Serbinë apo ndërkombëtarët.

Por, deri në botimin e këtij shkrimi, Qeveria e Kosovës nuk ka denjuar të përgjigjet në pyetjet e Nacionales.

Ndërsa Faton Klinkalu, sekretar i Organizatës së Vetarënëve të Luftës së UÇK-së, sqaroi se ata kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare të shtojnë presionin mbi Serbinë për lirimin e Mehmetajt.

“Atëherë kur është arrestuar ka pasur reagime të shumta, nga ne dhe te tjerë. Perveç reagimeve, institucionet tona kanë kërkuar edhe nga BE e organizma tjerë ndërkombëtarë që të ndërhyjnë në Serbi për lirimin e tij. Për shkak të këtyre gjërave, shumë herë ne si OVL-UÇK u kemi bërë thirrje veteranëve që të mos udhëtojnë nëpër Serbi”, tha Klinaku për Nacionale.

Mehmetaj akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e shtatë njerëzve, dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në fshatin Rudicë në komunën e Klinës, si ushtar i UÇK-së gjatë vitit 1999.

Ndërsa për lirimin e tij, javë më parë familjarët e tij protestuan para Qeverisë duke kërkuar nga institucionet të intervenojnë në favor të Mehmetajt.

Kujtojmë që javën e kaluar, Abaz Beqiraj u arrestua nga autoritetet serbe, por i njëjti u lirua disa ditë më pas.