30 ditë paraburgim për Lirim Jakupin, i dyshuar për vrasjen në Gjilan vitin e kaluar

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit Lirim Jakupi.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri L. J., dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 12 Shtator 2021, në një kafiteri në Gjilan, ku me armë zjarri është privuar nga jeta, Bakush Veselin.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se në bashkëveprim ka kryer veprën vrasje e rëndë vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, pasi që po të gjendet në liri mund të i ikë ndjekjes penale.

Lirim Jakupi është i njohur për vepra penale si vrasje e arratisje nga burgu.

Jakupit dyshohet se së bashku me Faton Osmanin, Gëzim Bajramin dhe Irfan Veselin mbrëmjen e 12 shtatorit në një kafiteri në Gjilan kishin qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur Bakush Veselit.

Atë kohë, Jakupi e kishte demantuar lajmi se kishte të bënte me vrasjen e Veselit, duke thënë se nuk ndodhej në Gjilan por ndodhej në Prishtinë. Të nesërmen ishte intervistuar nga Policia e Kosovës.