Pavarësisht pamjeve, Veliu nuk pranon faktin se pati përplasje të LDK-së në Podujevë

Sot nuk ishte përplasja e parë e LDK-së në procesin e brendshëm zgjedhor.

Thuajse në të gjitha degët e nëndegët e kësaj partie pati mospajtimet që shkuan edhe deri tek sulmet fizike e hedhjet e karrigeve.

Indeksonline raportoi sot për një përplasje të ngjashme që ndodhi në Podujevë, derisa zgjidhej kryesia e degës së tretë të LDK-së në Podujevë.

Madje pati edhe pamje, ku shihej qartë se si njerëzit lëshonin sallën dhe se e nevojshme ishte edhe prania e policisë.

Por këtë u mundua ta kundërshtoj i pari i Podujevës, nga radhët e LDK-së, Agim Veliu.

Përmes një statusi në Facebook, Veliu tha se LDK, dega në Podujevë ka përmbyllur me sukses kuvendet zgjedhor në të gjitha nëndegët e saj.

Duke u munduar t’i ikë fakteve, Veliu tha se kuvendi i III-të i LDK-së në Podujevë u zhvillua në përputhje të plotë me statutin dhe rregulloren për zgjedhje të kësaj partie, transmeton Indeksonline.

Duhet përkujtuar se LDK nuk ka pasur aspak proces të rregullt zgjedhor gjatë gjithë kësaj kohe, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të partisë se këto po ndodhin për shkak të ndërhyrjes së partive të tjera.

Postimi i plotë i Veliut:

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Të dashur qytetarë,

Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Podujevë, sot ka përmbyllur me sukses kuvendet zgjedhore në të gjitha nëndegët e saj.

Procesi zgjedhor në degën tonë është karakterizuar me një pjesëmarrje të madhe të anëtarësisë, ashtu siç i ka hije degës më të madhe në Kosovë, e cila përherë ka dalë fituese në të gjitha zgjedhjet.

Masoviteti në pjesëmarrje dhe fuqia elektorale e degës sonë ka bërë që të jetë cak i sulmeve propaganduese me qëllim të lëndimit të procesit dhe dëmtimit të LDK-së në Llap.

Tendencë e tillë u pa edhe sot nga medie të caktuara, të cilat provuan të manipulojnë opinionin lidhur me procesin e rregullt zgjedhor të një kuvendi të një nëndege në qytet. U propagandua se ka pasur incident e dhunë edhe pse fotografitë e video incizimet e publikuara nga vetë këto media qartë i demantojnë pretendimet e tyre.

Kuvendi i Nëndegës III të qytetit të Podujevës është zhvilluar në përputhje të plotë me Statutin dhe Rregulloren për zgjedhje të LDK-së, ndërsa momentet që paraqiten në video janë debate, të cilat në asnjë moment nuk e kanë dëmtuar dhe penguar zhvillimin e procesit zgjedhor, i cili u pērmbyll pa asnjë incident.

Pamje të reja nga përplasja e LDK-së, në Podujevë