Jasharaj komenton videon e LV-së: Krenar që jam përkrah çlirimtarëve

Kryetari i Këshillit Grevist dhe i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për videon e LV-së, ku mes figurave të shumta që ekspozohen si shkatërrues të shtetit, gjendet edhe ai.

Jasharaj, në një deklarim për KTV-në, ka thënë se ndihet krenar që është vënë krah çlirimtarëve.

“Sa i përket videos, duke parë që aty janë edhe emrat eminentë, ata që kanë qenë në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës, unë nuk ndihem i ofenduar, pavarësisht konotacionit që ata mundohen ta paraqesin. Thjesht është një video me çlirimtarët e Kosovës që, fatkeqësisht, janë në Hagë… me njerëz eminentë, me njerëz që kanë dhënë kontribut dhe që kanë marrë pjesë në aktet finale të shtetit tonë. Nuk ndihem i ofenduar edhe pse LV e ka bërë me qëllimet më negative të mundshme”, ka thënë ai.

“Me Rexhep Selimin e me komandantët e luftës të shihesh në fotografi, me Limajn, Haradinajn, që janë figura eminente të luftës, për mua është krenari”, ka deklaruar Jasharaj.