A do të ketë sot takim mes Thaçit e Kurtit?

Dhjetra ftesa i kanë shkëmbyer mes njëri-tjetrit deri tash Kryeministri Albin Kurti e Presidenti Hashim Thaçi, mirëpo dy palët, u takuan vetëm njëherë, madje për 5 minuta. Një takim shefi i Qeverisë e planifikoi edhe për nesër, por këtë ende s’e ka konfirmuar kryetari i shtetit.

Derisa tri ditë më parë Presidenti Thaçi u takua me liderët e të gjitha partive në vend, në takim nuk i shkoi Kurti.

Kryeministri i vendit, takimin siç deklaroi Presidenti, e ka anuluar vetëm 5 minuta para se ai të fillojë, duke e thirrur një tjetër për të premtën.

Mirëpo, se a do t’i shkojë Thaçi Kurtit në takim ose jo ende nuk dihet, pasi që zyra e Presidentit nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Kujtojmë se Thaçi dje përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook e ka quajtur Kurtin të frikësuar, gënjeshtar, mashtrues, të padinjitet dhe konsistent në qëndrime kundër Amerikës.

“I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin.I padinjitet”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas fjalimit të Kurtit në seancën e jashtëzakonshme.

Kryeministri në Kuvend e ka akuzuar Thaçin se tashmë ka bërë marrëveshje sekrete me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe ka vazhduar negociatat e fshehta me të.

“Unë jam i bindur që ka marrëveshje mes dy presidentëve dhe duan që unë të thyhem si kryeministër dhe të thyhet Qeveria, ashtu që nënshkruhet ajo”, ka thënë Kurti dje.

Kujtojmë se SHBA’të kanë kërcënuar me tërheqje të trupave nga Kosova, për shkak të mos-heqjes së taksës 100 përqind, ndaj produkteve serbe e boshnjake.