A do të protestojnë aktivistët e Vetëvendosjes edhe në Prishtinë, kur krimineli i luftës Vuçiç të takohet me Kurtin (video)

Lëvizjet e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, mund të cilësohen shumë kontradiktore nëse krahasohen ato të kohës kur ajo ishte në opozitë, dhe tash kur ka fituar zgjedhjet.

Edhe pse ende nuk e ka marrë drejtimin e qeverisë, Vetëvendosje ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë kursin, duke bërë veprime politike të ngjashme me ato kundër të cilave protestonte edhe me koktej molotovi rrugëve të kryeqytetit. Një i tillë është ai i takimit në Shqipëri me Marko Gjuriqin, i cili vetëm pak ditë më parë masakrën e Reçakut e kishte cilësuar si të inskenuar.

Por, kontradiktoren e bën të dukshme edhe më shumë tash aktivizimi i Vetëvendosjes në Shqipëri, e cila atje është në fillet e saj, njejtë sikur Vetëvendosje në Kosovë kur ndodhej jashtë skenës politike dhe vepronte në cilësinë e shoqërisë civile.

Vetëvendosje në Shqipëri, e cila në realitet për lider ka Albin Kurtin, po ka organizuar protestë atje duke kundërshtuar vizitën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, që do të marrë pjesë në takimin e radhës në kuadër të ‘Mini-Shengenit’.

Meqë, kjo në realitet është një Vetëvendosje, me një kokë, të cilën e ka në Prishtinë, pyetja lind, se si do të veprojnë aktivistët e saj, kur lideri Kurti, në cilësinë e kryeministrit do të takohet me Aleksandar Vuçiçit në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Se takimi do të ndodhë në të ardhmen jo të largët e ka konfirmuar edhe vet Kurti, pasi ka thënë se ai do t’i drejtojë negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, negociata të cilat po kërkohet nga ndërkombëtarët që të fillojnë sa më shpejtë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re.

Tani, me shumë të drejtë ngritet pyetja, se ku do të qëndrojë racionaliteti politik, nëse nuk protestohet kundër Kurtit kur ai takohet me Vuçiçin, e të protestohet kundër Ramës, i cili po e bën këtë, apo takimeve kundër Thaçit e Mustafës me liderët serbë në të kaluarën. /reporteri.net