A do të shtyhen zgjedhjet në Podujevë për shkak të koronavirusit, flet zëdhënësi i KQZ’së

Zgjedhjet në Podujevë që planifikohet të mbahen më 15 mars mund të shtyhen për shkak të rrezikshmërisë nga prekja e koronavirusit. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Express se shumë shpejtë do të merret një vendim nga institucionet e vendit lidhur me këtë çështje.

Në pyetjen se a do të shtyhen zgjedhjet e së dielës në Podujevë, Elezi nga KQZ ka thënë se aktualisht nuk mund të japim një përgjigje konkrete.

“Aktualisht nuk mund ta japim një përgjigje për këtë. Ne do të jemi gjatë ditës së nesërme në kontakt me institucionet e vendit, Presidentin dhe Qeverinë. Do t’iu mbajmë të informuar”, ka thënë Valmir Elezi për Gazetën Express.

Qeveria e Kosovës sot mbajti mbledhje të jashtëzakonshme ku mori vendim për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga koronavirusi.

Zgjedhjet në Podujevë erdhën si rezultat i dorëheqjes së kryetarit të saj, Agim Veliu, e i cili tash është ministër i Ministrisë së Mbrojtjes.

Këto janë masat e Qeverisë së Kosovës kundër koronavirusit:

Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020.

Pezullohet përkohësisht linja e udhëtimit ajëror dhe tokësor.

Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF’vë në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetjte të PK;së.

Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në KOsovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.

— Aktivititetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut.

— Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

— Të ndalohet eksporti I pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

— Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

— Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

— Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina.