A është e vërtetë se edhe VV-ja po bëhet kosovocentriste e kundër bashkimit kombëtar si LDK-ja

Mbrëmë, në TV Klan, përballë Blendi Fevziut, kandidatja e LDK-së për kryeministër, Vjosa Osmani deklaroi dy gjëra të cilat ia vlen të analizohen dhe debatohen publikisht.

Së pari, Vjosa Osmani deklaroi hapur e pa ekuivoke se LDK është parti kosovocentriste e prandaj edhe kundër bashkimit kombëtar. Deri më tani ky fakt është parë nga qëndrimet e deklarimet indirekte të zyrtarëve të LDK-së, por kjo gjithmonë ka mbetur në suaza të interpretimeve e të spekulimeve. Por, mbrëmë këtë e tha hapur e pa lënë asnjë mundësi të interpretohet ndryshe vetë Vjosa Osmani.

A e dinë këtë fakt anëtarët e LDK-së? A e kanë dëgjuar mbrëmë ata Vjosa Osmanin? A është e mundur që anëtarët e LDK-së të pajtohen me këtë? Këto janë disa pikëpyetje të cilat është mirë të sqarohen publikisht.

Së dyti, në pyetjen e gazetarit Blendi Fevziu se nëse LDK është kosovocentriste dhe kundër bashkimit kombëtar si do t’ia dalin të bëjnë koalicion qeveritar me LVV-në, kur dihet se LVV deklarohet për bashkim kombëtar, Vjosa Osmani deklaroi se edhe LVV po ndryshon në këtë drejtim!

A është e vërtetë kjo? A është e mundur kjo? Vjosa e ka avantazhin e debatit në këtë drejtim sepse ajo është thellë e involvuar në takimet LVV-LDK dhe mund të ketë informacione të dorës së parë nga këto takime dhe ndoshta e di se si dhe çka po ndryshon LVV apo LDK.

Por a e kanë dëgjuar Vjosa Osmanin mbrëmë anëtarët e LVV-së? A pajtohen ata me një kurs të tillë të ri? A pajtohen anëtarët e LVV-së me kosovocentrizmin e qëndrimin kundër bashkimit kombëtar? Edhe këto janë disa pikëpyetje të cilat duhet t’i “bluaj” secili anëtarë i LVV-së e madje secili qytetarë i Kosovës./Fokusi.info/