A u takuan Limaj dhe Sveçla sot? NISMA jep këtë përgjigje

Nisma Socialdemokrate ka hedhur poshtë raportimet e disa medieve që gjatë ditës së sotme ka pasur një takim mes liderit të Nismës, Fatmir Limaj dhe të disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në lidhje me një koalicion të mundshëm mes tyre.

Deputeti i Nismës, Endrit Shala, në një prononcim për GazetaBlic tha se raportimi i medieve, që Limaj është takuar sot me anëtarin e VV-së, Xhelal Sveçla, është i pavërtetë.

Sipas Shalës, Sveçla nuk është në nivel që të takohet me zyrtarisht me Fatmir Limaj.

Ai shtoi se Limaj gjatë ditës së sotme u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe me liderët e partive politike, ndërsa nuk ka pasur asnjë takim tjetër ndaras me ndonjë përfaqësues të ndonjë subjekti tjetër politik.

“Zotri Sveçla nuk është nivel për me u taku me zotri Limaj zyrtarisht, Limaj sot ka pas takim me Borell dhe gjithë liderët e partive politike në Kosovë dhe Limaj nuk ka pas asnjë takim ndaras me asnjë kryetar të partive tjera politike”, tha Shala.

“Raportimet janë të rreme”, shtoi ai.

Shala tha se së shpejti NISMA zyrtarisht do të lëshojë një komunikatë për medie ku do të sqaroj gjithçka në lidhje me pretendimet e medieve për këto takime.

“Për momentin jam me Limaj dhe së shpejti do kemi edhe një komunikatë të NISMA-s, ku e sqaron që nuk ka ndodhë asnjë takim tjetër”, tha Shala