Abazi: Humori më idiotesk i javës është që Ganiu e ka siguruar njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi e ka quajtur “humor idiotesk” pretendimin se këshilltari i jashtëm Gani Jakupi ka ndikuar te Spanja për pranimin e pasaportës së Kosovës.

“Humori më idiotesk i javës është që Ganiu ka siguruar njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Ish-zëvendëskryeministri thotë se duhet dhënë llogari për deklaratën e ministres Gërvalla se “nuk mund të tregoj se për çfarë është paguar Ganiu”.

“Kjo gënjeshtër është aq e pa kripë sa që deklaratën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë se “nuk mund të tregoj se për çfarë është paguar Ganiu” e bën vepër penale dhe keqpërdorim serioz të parasë publike”.

“Në aspektin e moralit politik këto deklarata të zyrtarëve shtetëror për punën e Ganiut janë nën çdo nivel të mundshëm. Zero llogaridhënie, mungesë serioze e demokracisë dhe kontrollit institucional!”, ka shkruar Abazi.

Ndryshe dje deputetja e LVV-së, Jeta Statovci ka thënë dje se Gani Jakupi është paguar për të lobuar për Kosovën në Spanjë.

“Opozita që dikur paguante për projektin e ndarjes së Kosovës u ngrit në këmbë për pagesën ndaj Gani Jakupit që lobon e ndihmon Republikën në Spanjë. Por, sot pas këtij lajmi a thua çfarë do të thonë. Pra, qenka e mundur të paguhesh nga vendi e t’i shërbesh njëmend atij. Ja një pjesë e rezultatit”, kishte shkruar Statovci.