Abdixhiku: Moment kritik, kryeministri të reflektojë, presidentja të jetë më e zëshme dhe më e qartë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku pas takimit me përfaqësuesit e lartë të BE-së, Gabriel Escobar dhe Emisari Lajcak ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të reflektojë, pasi që Kosova është në një gjendje të paprecedent historike. Ndërsa i ka bërë thirrje dhe presidentes Vjosa Osmani, që të jetë më e zëshme dhe më e qartë në këtë moment kritik, në të cilin gjendet Kosova.

“Si gjendje e paparë për ne për këto 33 vite përpjekje për liri pavarësi. Qytetarët e Kosovës duhet të kuptoj]ë përtej popullzimit rrugën që kryeministri Kurti po e fut Kosovën. Shpresoj që të reflektojë i njëjti. Sërish i bëjë thirrje presidentes të jetë më e zëshme, më e qartë në këtë moment kritik për Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa tha se shqetësimi i vetëm i LDK-së në këtë moment mbetet gjendja e paprecedent në të cilën është futur Kosova.

“Si parti opozitare po e ngris shqetësimin për gjendjen pa precedent historike që është Kosova”, tha ai.

E i pyetur se a e përkrahin mocionin për rrëzimin e Qeverisë, Abdixhiku ka thënë se mocione të tilla realizohen kur ka gjasa dhe kur ka vota. Ndërsa ka pohuar se nuk janë të interesuar për beteja politike, pasi që janë të shqetësuar me gjendjen në veri dhe se të gjitha çështjet tjera për ta janë dytësore.

” Mocioni është veprim politik i cili realizohet kur ka gjasa, kur ka vota. Ju e dini numrin e opozitës në Kuvend. Pra ne nuk jemi të interesuar për deklarime politike e beteja politike. Jemi të shqetësuar për gjendjen në veri dhe jemi të shqetësuar për rrugën që duhet ta kemi përpara bashkë me aleatët. Për këtë gjendje ne kemi preokupim, çështjet tjera më pas janë të rendit të dytë”, tha ai