Reagon Sveçla: Policët që protestuan sot, këtë vit morën nga 2,200 euro në muaj

Kreu i MPB-së, Xhelal Sveçla, ka reaguar për protestën e sotme të pjesëtarëve të njësive elitare të Policisë së Kosovës të cilët janë të pakënaqur me propozimin e Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë.

Sveçla ka thënë se Qeveria ka pasur synim përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurim të pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe kanë bërë përpjekje për trajtim dinjitoz e të drejtë, duke pretenduar se kompensimi për angazhimet shtesë s’është zbatuar fare në të kaluarën.

Ai ka thënë se tani angazhimi shtesë është kompensuar pa vonesa, derisa potencon se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të policëve që protestuan sot para Qeverisë janë mbi 2 mijë e 200 euro.

“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka shkruar Sveçla.