Abdixhiku: Paga e mësuesve në Shqipëri shkon në 950 euro, derisa Kurti merret me zgjedhjet ndërshqiptare në Maqedoni

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar përfshirjen e mundshme të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Shqipëria po shkon drejt pagës 950 euro për mësues, derisa sipas tij Kurti është i zënë me zgjedhjet ndërshqiptare në Maqedoni.

“Shqipëria drejt pagës 950 euro për mësues! Po, plot 950 euro për mësues! Gjersa kryepopullisti ynë është i zënë me zgjedhjet ndërshqiptare në Maqedoni, edhe krahasimi me vendet fqinje ka nisë të mos ketë më kuptim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

I pari i LDK-së thotë se Kurti është në vitin e katërt të qeverisjes por që sipas tij nuk po vërehet asnjë shenjë pozitive.

“Është në vitin e katërt të Qeverisë. Do të ketë menaxhuar plot 12 miliardë euro për këto katër vjet; më shumë se secili njeri në histori të vendit; dhe prap asnjë shenjë! Propagandë, fjalë të thata e përçarje urrejtëse – ky është diskursi politik sot!”.

Ai thotë se me qeverisjen e LDK-së pagat do të rriten për 23%.

“Kohë për të humbur nuk kemi! ‘Rruga e Re’ është zgjidhja. Me Rrugën e Re dhe Rrogat e Reja. 23% më shumë se sot!”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.