Abdixhiku presidentes Osmani: Lufto edhe me Kurtin si dikur me LDK-në

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ftuar në emisionin “Contex” ka kërkuar nga presidentja, Vjosa Osmani të bëjë luftën e njejtë edhe me Kurtin, ashtu siç vepronte dikur në partinë të cilën tashmë ai e udhëheq.

Sipas tij, kur Vjosa bënte diçka në parti nuk kishte gjë mund ta ndalte.

“Do të doja të kisha parë një rol më aktiv të presidentës, ndonëse kohën e fundit kam vërejtur një lëvizje në këtë drejtim. Duhet të shoh një shpirt luftarak sepse Osmanin e njoh në politike gjatë. Kur Vjosa bënte gjëra në parti, nuk kishte gjë që e ndal, e të njejtë luftë ta bëjë edhe me kryeministrin e Kosovës, të sillet e tillë sepse për atë ka marrë edhe vota”, ka thënë Abdixhiku.

Ai thotë se kishte qëndrim të qartë që presidentja duhej të luante rol në afrimin e partive politike në skenën publike në Kosovë, duke theksuar se Osmani si presidente nuk ka një rol të fort, duke përmendur disa nga sanksionet e ndërkombëtareve ndaj Kosovës.

“Kur të përjashton nga “Defender 2023” dhe komandantja supreme e ushtrisë së Kosovës nuk ka qëndrim për atë punë, nuk mund të themi që është rol i fort”, u shpreh ai.