Abdullahu për testet që Serbia ia dhuroi Kurtit: Po merr këshilla nga disa majtistë europianë, që e inkurajojnë kundër SHBA’së

Për pranimin e një mijë testeteve për koronavirus nga Serbia, si dhuratë për Kosovën kanë reaguar edhe analistët politikë në vend, të cilët një veprim të tillë nga ana e Kurtit po e quajnë mosdefinim i djallzërisë së presidentit Vucic, meqë i duhen kodet amerikane dhe kryeministri ynë nuk i ka ato kode, shkruan Gazeta Metro.

Kështu thotë njohësi i çështeve politike, Faton Abdullahu, i cili tutje në një përgjigje për Gazetën Metro, ka shtuar se me një veprim të tillë lë të kuptohet se Kurti po merr këshilla nga disa majtistë europian kundër SHBA’së, e sidomos me qasje anti-Trump.

“Kurti i pranoi ato teste nga Serbia sepse SHBA-t ia kanë koduar atij gjeopolitikën amerikane për rajonin. Kurti tashmë është analfabet i gjeopolitikës së koduar amerikane. Për më keq ai po përpiqet ta mësoj një alfabet tjetër gjeopolitik, po hulumton mundësi e kode tjera. Po provon risi. Po merr këshilla nga disa majtistë euvropian me paranoja të përhershme ndaj SHBA-s e sidomos me qasje anti Trump. Ata po e lavdërojnë e inkurajojnë”,ka thënë ai.

Abdullahu tutje ka shtuar se kjo qasje e tij si lider i Lëvizjes Vetëvendosje është më shumë se thyerje parimesh, andaj duhet të largohet e të kthehet në opozitë, me shpresën se politikisht do të maturohet.

“Pranimi i ndihmës humanitare nga Serbia të 1000 testeve nuk mund të kuptohet drejtë me shpjegime se kjo ishte shkarje e Kurtit, se është kohë pandemie, se ka të bëjë me të drejtat e njeriut, apo me qasjen e VV-së ndryshe në opozitë e ndryshe në pozitë. Kjo qasje është më shumë se thyerje parimesh. Kjo qasje ndaj Serbisë është larg më e thellë se kaq, larg më e ndërlikuar”.

“Ndoshta po hulumton për qasje të reja edhe gjetiu. Nuk e ka idenë se ku po e dërgojnë ato. Ai duhet të largohet. Kurti duhet ti kthehet opozitës me shpresën se politikisht do të maturohet”, ka përfunduar Abdullahu për Metron.

Kujtojmë se para dy ditësh, konkretisht më 17 prill, Qeveria e Kosovës ka pranuar nga Serbia si donacion një pako prej një mijë testesh për personat e infektuar me Covid-19, gjë që nuk u mirëprit aspak nga sfera politike në Kosovë.