Abuzimet me çmimet e vajit, mbyllen dy depo të supermarketeve

Inspektorati i Tregut ka mbyllur dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovës dhe Graçanicë, në vazhdën e inspektimeve për rritjen e çmimeve.

Një gjë të tillë e ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të sajën në ‘Facebook’.

“Inspektorati i Tregut mbyll dy depo të operatorëve ekonomikë. Gjatë aksionit të sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë (në Fushë Kosovë dhe Graçanicë)”, thuhet në njoftim.

Nga kjo ministri më herët nëpërmjet një komunikate akuzuan disa operatorë ekonomikë për largimin e vajit ushqimor nga depot, në mënyrë të mbjelljes së panikut.

“Sipas të dhënave nga terreni, disa operatorë kanë zbrazur dje raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër. Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër”, u tha në komunikatë të MINT-it.