Afro 300 mijë qytetarë u pajisën me pasaporta të Kosovës në prag të liberalizimit

Duke filluar prej 1 janarit, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Ata që duan të udhëtojnë duhet të pajisen me pasaportën e Republikës së Kosovës.

Nga fillimi i vitit 2023, 287 mijë e 965 kosovarë janë pajisur me pasaporta, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme.

209 mijë e 755 qytetarë u pajisen me letërnjoftim gjatë 2023-ës. Këtë statistikë e kanë bërë të ditur nga MPB-ja. “Qytetarë të cilët janë pajisur për herë të parë më letërnjoftim gjithsej janë 41798”.

Nga muaji janar 2023 e deri më tani gjithsej 93 mijë e 385 shoferë të rinj u pajisen me patentë shoferë. Ndërsa qytetarë që kanë aplikuar për herën e parë për këtë kategori janë mbi 40 mijë.

Për shkak se në shumicën e shteteve evropiane nuk lejohet dyshtetësia, shumë kosovarë gjatë 2023-ës hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës. 2 mijë e 938 persona u liruan nga shtetësia. “Gjatë periudhës janar-nëntor 2023 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 2,938 persona”, njofton MPB.

Nga fillimi i këtij viti e deri më tani 654 qytetarë kanë marrë shtetësi kosovare.

“Gjatë periudhës janar-nëntor 2023 kanë aplikuar 1,174 persona për fitim të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe prej tyre 654 persona kanë marrë shtetësinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.