Agim Çeku pas shpalljes së aktgjykimit lirues në rastin “Veteranët”: Ishte një vendim i drejtë dhe i pritur

I akuzuari në rastin e njohur si “Veteranët”, Agim Çeku,  ka pohuar se aktgjykimi lirues ndaj tij dhe të akuzuarve tjerë është i drejtë dhe i pritur.

Çeku tha se gjatë tërë kohës e ka ndjerë vetën të pafajshëm.

“Aktgjykimi lirues për mua dhe anëtarët e tjerë të komisionit për verifikimin e veteranëve është aktgjykim i drejtë, i pritur. Gjatë tërë kohës që nga fillimi e kam ndjerë vetën të pafajshëm, këtë e dëshmuam gjatë këtij procesi dhe ishte një vendim i drejtë dhe i pritur”, tha ai para mediave.

Të akuzuar për rastin “Veteranët” ishin Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.