Ahmeti: Çerdhet do të rihapen me protokole të caktuara

Pas disa javë pezullimi, qerdhet në vendin tonë pritet të hapen pas mbikqyrjes nga autoritetet komunale.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se në momentin që konfirmohet do ta shqyrtojnë.

Sipas tij, çerdhet duhet të rihapen me protokole të caktuara.

“Ende nuk ka vendim nga Qeveria, që na len neve. Ato çka kanë qarkulluar janë propozim-vendime. Në momentin që konfirmohet pastaj ne si komunë do ta shqyrtojmë. Mendimi jonë është që çerdhet të rihapen me protokole të caktuara”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

“Ushtrimi i veprimtarisë së qerdheve në institucione private e publike, në Kosovë, pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, në përputhje me Manualin mbi mbrojtjen nga përhapja e COVID19”, thuhet në propozim-vendimin e qeverisë së Kosovës.

Vlen të përmendim faktin se në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë gjithsej 42 çerdhe publike.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, qyteti me më së shumti çerdhe private është Prishtina, e cila ka mbi 50 sosh.

Po ashtu, kryeqyteti i Kosovës dominon edhe sa i përket pjesëmarrjes së fëmijëve në këto institucione, ku numri i tyre sillet mbi 1 mijë.