Ahmeti komenton arrestimin e inspektorit komunal

Të mërkurën u arrestua Inspektori i komunës së Prishtinës, Gafurr Rexha.

Ai dyshohet për përfshirje në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’ – gjegjësisht për marrjen e 12 mijë eurove ryshfet.

Këtë arrestim e ka komentuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Përmes një postimi në “Facebook”, ai theksoi se nuk mund të garantojë për askë se nuk do të shkelë ligjin, por shtoi se nuk do të lejojnë një gjë të tillë.

“Komuna e Prishtinës i ka mbi 6000 punëtorë dhe nuk ka gjasa me garantu që askush nuk tenton e as nuk është i përfshirë në korrupcion. Por atë që garantojmë është që nuk tolerohet. Vjet e sivjet kemi denoncuar në polici si staf politik disa zyrtarë që ende janë në procese gjyqësore” theksoi Ahmeti.

Ai tha se nuk mund ta paragjykojë rastin e fundit të arrestimit të inspektorit, por u shpreh se në këso rastesh ka “edhe gëzim edhe hidhërim”.

“Hidhërim se dikush mund të e bëjë, kurse gëzim se dikush potencialisht u kap. Edhe njëherë, nuk e paragjykoj rastin por pa marrë parasysh cilës parti i përket, korripsioni nuk tolerohet. Do të bashkëpunojmë dhe do të i ndihmojmë organet e rendit në çdo gjë”, përfundoi kreu i Komunës së Prishtinës.